Të zorrës së trashë

Zorra e trashë ose (colon) është një tub muskulor me gjatësi rreth 1,5 m, i cili ndodhet në pjesën e poshtme të rrugës gastrenterike. Përbëhet nga 5 pjesë dhe funksioni i tij kryesor është thithja e ujit dhe elektroliteve, e cila realizohet në anion të zorrës. Ushqimet, udhëtojnë nga zorra e hollë – ku bëhet thithja e përbërësve ushqyese – dhe përfundojnë në colon, ku me thithjen e ujit shndërrohen në fekale, të cilat shtyhen me tkurrje muskulore nga zorra e trashë drejt rektumit.

Kur zorra e trashë nuk funksionon mirë, zakonisht dërgon sinjale paralajmëruese, si dhimbje barku (veçanërisht në anën e majtë), përzierje ose të vjella, diarre të vazhdueshme ose kapsllëk, hemorragji, humbje peshe dhe temperaturë. Kur pacientët kanë këto simptoma, duhet të shkojnë tek gastroenterologu, me qëllim që të bëhet diagnoza e sëmundjes. Metodat e diagnozës janë kolonoskopia, klizma barium, CT e abdomenit dhe kolonografia aksiale (Virtual Colonoscopy). Megjithatë, ekzistojnë sëmundje që nuk kanë simptoma, siç janë polipet, veçanërisht në fazat e para, të cilat në qoftë se nuk përballohen në kohë, mund të shndërrohen në kancer. Për të evituar situata të tilla, çdo njeri madhor mbi moshën 50 vjeç, ose mbi 40 vjeç, kur ekziston anamnezë familjare do të duhet të bëjë analiza preventive.

Sëmundjet e zorrës së trashë janë të shumta, në shumicën e tyre jo kanceroze dhe në mënyrë analoge me llojin dhe intensitetin e simptomave mund të kërkojnë heqjen kirurgjikale të një pjese ose komplet të zorrës së trashë. Në mënyrë treguese colon preket nga:

» Sëmundja Crohn
» Koliti ulceroz
» Divertikulozë - Diverticulosis
» Angiodysplasi
» Përdredhje (volvulus) e zorrëve
» Ileus
» Vëllime beninje

Ngushtim ose bllokim të artereve mesenterike ose venave

Më rrallë, në zorrën e trashë shfaqen vëllime kanceroze (adenokarcinoma, tumore malinji, limfoma, sarkoma). Edhe pse arsyeja e vërtetë është e panjohur, fajtore konsiderohen zakonet e të ushqyerit, si konsumimi i madh i mishit të kuq dhe obesiteti, pirja e duhanit, anamneza familjare dhe historiku personal i polipeve, i kolitit ulceroz, i sëmundjes Crohn dhe i kancerit.

Vendimi për përballimin kirurgjikal të sëmundjeve të zorrës së trashë (kolektomi) merret kur janë përjashtuar mundësitë e kurimit nëpërmjet metodave konservative dhe duke marrë parasysh llojin e simptomave dhe problemet që mund të shkaktojnë. Disa prej tyre vënë në rrezik jetën e pacientit, siç janë peritoniti, ngushtimi ose shpimi i zorrës, hemorragji e shtuar dhe mundësitë e shtuara të shfaqjes së kancerit.

Ekzistojnë lloje të ndryshme kolektomie:

» Kolektomi totale (heqje e gjithë zorrës së trashë)
» Kolektomi e pjesshme (heqje e një pjese të zorrës së trashë)
» Gjysmë-kolektomi (heqje të pjesës së djathtë ose të majtë të zorrës) dhe
» Rektumo-kolektomi (heqje të zorrës së trashë duke përfshirë edhe rektumin)

Pasi është marrë vendimi për kryerjen  kolektomisë, pacienti bën analizat e gjakut, kontroll të funksionit kardiak dhe të frymëmarrjes dhe disa ditë më parë ndërpriten ilaçet anti-koagulante që eventualisht merr. Meqenëse kolektomia kërkon pastrimin e zorrës, pacienti disa ditë para operacionit, i nënshtrohet zvogëlimit të marrjes së ushqimit dhe një ditë para operacionit merr pastrues, një përgatitje kjo që mund të bëhet në shtëpi dhe hyrja në spital të bëhet në mëngjesin e ditës që është programuar operacioni.

Tradicionalisht kolektomia kryhet me të quajturën metodë “të hapur”, e cila kërkon hapje të madhe të lëkurës dhe të muskujve të barkut dhe mënjanim të detyrueshëm të organeve të tjera të barkut, me pasojë shërimi i pacientit të jetë i vështirë dhe të realizohet disa javë ose muaj pas operacionit. Kjo metodë vitet e fundit është kufizuar vetëm në rastet e kancereve të avancuara ose metastaze. 

Metoda laparoskopike bëhet gjithnjë dhe më e përhapur vitet e fundit sepse prerjet që kërkon janë të vogla, kështu që koha e shërimit është më e shkurtër, riaftësimi më i shpejtë, ka mundësi marrjeje të ushqimit solid dhe funksionimi i zorrës dhe rikthimi në veprimtarinë e përditshme është më i shpejtë. Është metodë jashtëzakonisht efikase në çdo lloj vëllimi beninj të zorrës së trashë dhe, sipas investigimeve të fundit në shumicën e rasteve të malinjit.

Koha e qëndrimit në spital pas një kolektomie të “hapur” është 5 – 8 ditë, ndërsa kolektomia laparoskopike kërkon 3 – 5 ditë mjekimi. 

Si çdo operacion kirurgjikal, ashtu edhe kolektomia, ka disa rreziqe pas operacionit. Rreziku kryesor është rrjedhja në pikën e rilidhjes së zorrës, e cila detyron pacientin në një operacion të dytë. Gjithashtu në ndërlikimet klasifikohen hemorragjia dhe inflamacioni, të cilat ndodhin zakonisht pas çdo lloj operacioni kirurgjikal, plagosja e organeve fqinje, tromboza venoze dhe infeksioni pasoperacional i sistemit respirator, për përballimin e të cilëve kërkohet zgjatje e mjekimit të pacientit sipas rastit. Kur kolektomia bëhet me metodën laparoskopike, këto rreziqe janë, në një masë të madhe, të zvogëluara.

Pas operacionit, është i domosdoshëm përqendrimi i pacientit në udhëzimet e kirurgut për shërimin më të shpejtë të tij dhe për eliminimin e ndërlikimeve. Ditën tjetër pas operacionit, pacienti duhet të ngrihet, me qëllim që të përmirësohet funksioni frymëmarrës i tij. Ditën e tretë fillon të ushqehet me ushqime të buta dhe menjëherë pas fillimit të funksionimit të zorrës (dita e 3-të deri e 5-të) pacienti mund të kthehet në shtëpi.

Kthimi në veprimtarinë e përditshme pas kolektomisë së hapur bëhet në 8 – 12 javë, ndërsa pas laparoskopisë pas 2 – 5 javë.